1

1

Në librin e parë, o Teofil, shkrova për gjithçka që Jezui bëri e u mësoi të tjerëve që nga fillimi

2 e deri ditën kur u ngrit në qiell, pasi u kishte dhënë udhëzime nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë apostujve që kishte zgjedhur.

3

Jezui, pas vuajtjeve dhe vdekjes, iu paraqit atyre i gjallë për dyzet ditë me shumë prova bindëse dhe u foli për mbretërinë e Perëndisë .

4 Kur po hante me ta, i urdhëroi:

«Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni aty premtimin e Atit, që keni dëgjuar nga unë.

5 Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin e Shenjtë».

6

Ata që ishin mbledhur rreth Jezuit e pyetën: «Zot, a është kjo koha kur ti do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?».

7

Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të dini as kohën, as orën që ka caktuar Ati me autoritetin e vet,

8 por kur të zbresë mbi ju Shpirti i Shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut».

9 Pasi tha këto gjëra, Jezui u ngrit lart në qiell, ndërsa ata po e shihnin dhe një re e mori lart e ata nuk e panë më.

10 Ndërsa vazhdonin të shikonin drejt qiellit, andej nga ishte larguar Jezui, dy burra të veshur me të bardha qëndruan pranë tyre

11 e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell».

12

Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jerusalemit rreth një kilometër .

13 Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon zelltari e Juda i Jakobit.

14

Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes , së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit e me vëllezërit e tij.

15

Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha:

16 «Vëllezër, duhej të përmbushej ajo pjesë e Shkrimit të shenjtë që Shpirti i Shenjtë e ka parathënë nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin.

17 Juda ishte njëri prej nesh dhe kishte marrë pjesë në shërbesën tonë.

18 Ai bleu një arë me shpërblimin e mbrapshtisë së vet. Aty u përplas me kokë poshtë, iu ça barku e iu derdhën të gjitha zorrët.

19 Të gjithë banorët e Jerusalemit e morën vesh këtë gjë, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre ‘Hakeldama’, që do të thotë Ara e Gjakut.

20

Dhe ja se çfarë shkruhet në librin e Psalmeve:

u shkretoftë shtëpia e tij
e mos banoftë askush në të!

dhe

tjetërkush ia zëntë vendin!

21

Prandaj, njëri nga burrat që ka qenë me ne gjatë gjithë kohës kur Zoti Jezu shkonte bashkë me ne nga një vend në tjetrin,

22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit, deri ditën kur Jezui u largua prej nesh e u ngrit në qiell, duhet të bëhet dëshmitar i ngjalljes së tij bashkë me ne».

23

Atëherë paraqitën dy veta: Jozefin, që quhej Barsaba e që thirrej Just, dhe Matian.

24 Pastaj u lutën kështu: «Zot, ti i njeh zemrat e të gjithëve. Na trego cilin prej këtyre të dyve ke zgjedhur

25 për të zënë vendin e Judës në këtë shërbesë e për tʼu bërë apostull, sepse Juda e la këtë shërbesë e shkoi udhës së vet».

26 Pastaj hodhën short e shorti i ra Matias, i cili u bashkua me të njëmbëdhjetë apostujt e tjerë.

2

1

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend.

2 Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin.

3 Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri.

4 Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e Shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti i Shenjtë për të folur.

5

Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës.

6 Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit.

7 Të mahnitur e të habitur thoshin:

«A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin?

8 Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh?

9 Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë,

10 të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma,

11 judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë».

12

Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Çʼdo të thotë kjo gjë?».

13

Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht».

14

Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha:

«Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia.

15 Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit ,

16 por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel:

17

Në ditët e fundit, thotë Perëndia,
do të ndodhë kështu:
unë do të derdh Shpirtin tim
te të gjithë njerëzit.
Bijtë tuaj e bijat tuaja
do të profetizojnë,
të rinjtë tuaj
do të shohin vegime
e pleqve tuaj
do tʼu flas përmes ëndrrave.

18
Edhe mbi shërbëtorët
e shërbëtoret e mia
do të derdh Shpirtin tim,
në ato ditë,
e ata do të profetizojnë.

19
Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme
lart në qiell
e mrekulli
poshtë në tokë,
gjak, zjarr e shtëllunga tymi.

20
Dielli do të kthehet në errësirë
e hëna në gjak
para se të vijë
dita madhështore
dhe e lavdishme e Zotit.

21
Atëherë
kushdo që të thërrasë emrin e Zotit
do të shpëtohet.

22

Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, shenjash të mëdha dhe mrekullish që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë.

23 Këtë njeri, që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe planit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve.

24 Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj.

25 Davidi thotë për të:

Zotin e kisha gjithmonë
para syve.
Ai është në të djathtën time,
që të mos lëkundem.

26
Prandaj u gëzua zemra ime,
gjuha ime u ngazëllye
e trupi im
do të prehet në shpresë,

27
se ti nuk do ta braktisësh në ferr
shpirtin tim
as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd
të shohë kalbjen.

28
Ti më ke treguar udhët e jetës
e do të më mbushësh me gëzim
në praninë tënde.

29

Vëllezër, më duhet tʼju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot.

30 Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin.

31

Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit:

ai nuk u braktis në ferr,
dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen.

32

Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë.

33

Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e Shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni dhe po e dëgjoni.

34

Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë:

I tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time

35
derisa të tʼi vë armiqtë e tu
si shtrojë të këmbëve të tua.

36

Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht».

37

Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Çʼduhet të bëjmë, o vëllezër?».

38

Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që tʼju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të Shenjtë.

39 Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti Perëndia ynë, e thërret te vetja».

40

Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë».

41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.

42 Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës dhe lutjeve.

43

Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja.

44 Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët.

45 Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili.

46 Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër.

47 Ata lavdëronin Perëndinë dhe populli i kishte për zemër. Zoti u shtonte atyre çdo ditë ata që shpëtoheshin.

3

1

Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite .

2 Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë që ishte i çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit, që quhet ‘e Bukura’, për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull.

3

Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë.

4 Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë dhe i thanë: «Na shiko!».

5

Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre,

6 por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!».

7 Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet.

8 Ai brofi në këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë.

9 I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë.

10 Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te ‘Dera e Bukur’ e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.

11

Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit».

12 Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu:

«Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit?

13 Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.

14

Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi.

15 Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë.

16 Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.

17

E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj.

18 Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante.

19 Prandaj pendohuni e kthehuni që tʼju shlyhen mëkatet,

20 që të vijë koha kur Zoti do tʼju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë.

21 Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.

22

Moisiu ka thënë : Zoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do tʼju thotë!

23 Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset nga populli.

24

Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë.

25 Ju jeni bijtë e profetëve dhe të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: Nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës.

26 Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që tʼju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta».

4

1

Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë iu afruan atyre

2 të zemëruar që këta po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit.

3 Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje.

4 Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë.

5

Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë dhe skribët, u mblodhën në Jerusalem

6 me kryepriftin Hana, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore.

7 Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me çʼfuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?».

8

Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, u tha:

«Krerë të popullit e pleq të Izraelit,

9 ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri.

10 Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve.

11 Jezui është

guri që ju ndërtuesit e hodhët tej
e që u bë guri i qoshes.

12

Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».

13

Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit, e kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin.

14 Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin.

15

Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin

16 e të thoshin: «Çʼtë bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një mrekulli që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë.

17 Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, tʼi kërcënojmë që të mos i flasin më njerëzve në emër të Jezuit».

18 Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit.

19

Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë tʼju dëgjojmë ju apo Perëndinë?

20 Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».

21

Ata, pasi nuk gjetën arsye për tʼi dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.

22 Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj mrekullie ishte mbi dyzet vjeç.

23

Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë.

24 Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë dhe thanë:

«O Zot , ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to,

25 ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të Shenjtë:

Përse u zemëruan kombet pagane
e popujt thurin plane të kota?

26
Mbretërit e tokës janë përgatitur
e princat janë mbledhur së bashku
kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.

27

Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet pagane dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht,

28 që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin.

29

E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim.

30 Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin mrekulli e shenja përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».

31

Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trondit. Atëherë u mbushën me Shpirtin e Shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.

32

Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët.

33 Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve.

34 Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin

35 dhe ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.

36

Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «bir i ngushëllimit»,

37 shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.

5

1

Një burrë që quhej Hanani, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë.

2 Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve.

3 Atëherë Pjetri i tha: «Hanani, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e Shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës?

4 Sa ishte e pashitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje çʼtë doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë».

5

Kur dëgjoi këto fjalë, Hanania u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe.

6 Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën.

7

Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananisë, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur.

8 Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?».

Ajo i tha: «Po, për kaq».

9

Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej».

10 Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt.

Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet.

11 Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.

12

Në popull bëheshin shumë mrekulli e shenja përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit.

13 Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.

14

Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë.

15 Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre.

16 Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.

17

Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë

18 dhe i kapën apostujt e i futën në burg .

19 Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha:

20 «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re ».

21 Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.

Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu.

22 Po kur rojat arritën në burg, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen dhe njoftuan:

23 «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar në këmbë te dyert. Po kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda».

24 Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.

25

Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin».

26 Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.

27

Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti:

28 «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu».

29

Pjetri e apostujt u përgjigjën:

«Duhet tʼi bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.

30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit.

31 Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si Prijës e Shpëtimtar, për tʼi dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.

32 Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».

33

Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin tʼi vrisnin.

34 Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që tʼi nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë.

35 Pastaj u tha atyre:

«Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz.

36 Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën.

37

Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë.

38

Prandaj tani po ju them tʼu rrini larg këtyre njerëzve dhe tʼi lini të shkojnë, se nëse plani apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë.

39 Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund tʼi shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë».

Ata e dëgjuan Gamalielin

40 dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë.

41

Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit.

42 Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.

6

1

Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, besimtarët greqishtfolës u ankuan ndaj besimtarëve hebraishtfolës, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit.

2

Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve dhe thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë.

3 Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirtin e Shenjtë e me urti, që tʼi ngarkojmë me këtë detyrë.

4 Ne, nga ana jonë, do tʼi kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës».

5

Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve .

6 Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta.

7

Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.

8

Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull.

9 Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë , bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të debatonin me Stefanin.

10 Por ata nuk mundën tʼi bënin ballë urtisë dhe Shpirtit të Shenjtë që i ndriçonte mendjen kur fliste.

11 Atëherë ata vunë disa njerëz të thoshin se e kishin dëgjuar duke thënë fjalë fyese kundër Moisiut e Perëndisë.

12

Kështu, ata ngritën në këmbë popullin, pleqtë e skribët dhe iu afruan Stefanit, e kapën dhe e çuan para sinedrit.

13

Aty sollën disa dëshmitarë të rremë, që thanë: «Ky njeri nuk ka reshtur së foluri kundër këtij vendi të shenjtë e kundër ligjit të Moisiut.

14 Ne e kemi dëgjuar të thotë se ky Jezui i Nazaretit do ta shkatërrojë këtë vend e do tʼi ndryshojë zakonet që na ka lënë Moisiu».

15 Të gjithë ata që ishin ulur në sinedër e panë me vëmendje dhe panë se fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli.

7

1

Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?».

2

Stefani tha:

«Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran,

3 e i tha: Dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj.

4 Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran.

Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju.

5 Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do tʼia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë.

6 Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhè të huaj, e atje do tʼi skllavëronin e do tʼi keqtrajtonin për katërqind vjet.

7 Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do tʼi shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend.

8

Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët.

9 Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të.

10 Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet.

11

Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë.

12 Po kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë.

13 Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit.

14

Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij Jakobin e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta.

15 Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën,

16 dhe trupat e tyre i sollën në Sikem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Sikem.

17

Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt,

18 derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër, që nuk e njihte Jozefin.

19 Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë tʼi braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.

20

Në këtë kohë u lind Moisiu, që ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj

21 dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i saj.

22 Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra.

23

Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit.

24 Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin.

25 Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.

26

Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq tʼi pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”.

27

Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne?

28 A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin?

29 Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Madianit, ku i lindën dy bij.

30

Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e Malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej.

31 Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha:

32 Unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte.

33

Atëherë Zoti i tha: Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po shkel, është tokë e shenjtë.

34 E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për tʼi çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.

35

Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: Kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre.

36

Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në Detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet.

37 Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë.

38 Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në Malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve.

39 Etërit tanë nuk deshën tʼi bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt.

40

Ata i thanë Aaronit: Na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë se çʼu bë me të.

41 Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.

42

Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e profetëve:

A më kushtove
kafshë të therura e flijime
dyzet vjet në shkretëtirë,
o shtëpia e Izraelit?

43
Ju morët me vete tendën e Molokut
dhe yllin e perëndisë suaj Refan ,
shëmbëllimet
që i bëtë vetë
për tʼi adhuruar,
prandaj do tʼju shpërngul
përtej Babilonisë.

44

Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas modelit që kishte parë.

45 Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozueun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e paganëve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit,

46 i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit.

47 Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.

48

Megjithatë, më i larti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:

49

Qielli është froni im,
e toka është shtroja
e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni,
thotë Zoti,
ose cili është vendi
ku do të gjej pushim?

50
A nuk i ka bërë dora ime
të gjitha këto gjëra?

51

Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë , edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni tʼi kundërviheni Shpirtit të Shenjtë.

52 Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij.

53 Ju jeni ata që morën ligjin e Moisiut, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».

54

Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit.

55 Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit e pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë.

56 Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!».

57

Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij.

58 Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë. Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul.

59

Ndërsa këta e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!».

60 Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.

8

1

Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit.

Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë.

2 Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë.

3 Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg.

4

Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin.

5 Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin.

6 Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin mrekullitë që bënte.

7 Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan.

8 Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë.

9

Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë, e thoshte se ishte njeri i madh.

10 Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, që nga më të vegjlit deri te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë».

11

Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij.

12 Po kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra.

13 Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte mrekullitë e mëdha dhe veprat e fuqishme që ndodhnin.

14

Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin.

15 Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e Shenjtë,

16 sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e Shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu.

17 Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e Shenjtë.

18

Kur pa Simoni se Shpirti i Shenjtë u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para

19 e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e Shenjtë».

20

Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë!

21 Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë.

22 Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër.

23 Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit».

24

Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë».

25

Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.

26

Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë.

27 Filipi u ngrit e shkoi.

Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës , mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar

28 e tani po kthehej, i ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isaia.

29

Atëherë Shpirti i Shenjtë i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!».

30 Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isaia e i tha: «A e kupton atë që po lexon?».

31

Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij.

32

Pjesa e Shkrimit të shenjtë që ai po lexonte ishte kjo:

E çuan si dele
për tʼu therur,
si qengjin
që shkon për tʼu qethur pa bërë zë
e ai nuk e hapi gojën.

33
E poshtëruan
dhe ia mohuan drejtësinë.
E kush mund të flasë për pasardhësit e tij?
Sepse jetës së tij
i dhanë fund mbi tokë.

34

Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?».

35 Atëherë Filipi filloi të fliste e duke u nisur nga kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë, i shpalli ungjillin, Jezuin.

36

[36‏-37] Ndërsa po ecnin udhës, arritën në një vend ku kishte ujë dhe eunuku tha: «Ja, këtu ka ujë. Çfarë më pengon të pagëzohem?».

37

38 Ai urdhëroi të ndalej karroca. Filipi dhe eunuku shkuan tek uji dhe Filipi e pagëzoi.

39

Kur dolën nga uji, Shpirti i Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më. Pastaj shkoi plot gëzim udhës së vet.

40

Filipi u gjend në Azot dhe, gjatë udhës, u predikonte ungjillin të gjitha qyteteve, derisa arriti në Cezare.

9

1

Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti

2 dhe i kërkoi që ky tʼi shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, tʼi sillte të lidhur në Jerusalem.

3 Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit.

4 Ai u rrëzua dhe dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?».

5

Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?».

Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui, që ti po përndjek.

6 Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh».

7

Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd.

8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

9 Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri e as nuk piu për tri ditë.

10

Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hanani. Zoti i tha atij në një vegim: «Hanani!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot».

11

Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet ‘e Drejtë’ dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet

12 dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hanani duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që tʼi kthehet shikimi».

13

Por Hanania u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë besimtarëve të tu në Jerusalem ky njeri.

14 Ndërsa këtu ka ardhur i autorizuar nga kryepriftërinjtë për tʼu vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty».

15

Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve pagane, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit.

16 Unë do tʼi tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim».

17

Atëherë Hanania shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin dhe i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që tʼu shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e Shenjtë».

18

Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua

19 dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia.

Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask

20 e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë.

21 Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për tʼu vënë prangat e për tʼi çuar te kryepriftërinjtë?».

22

Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.

23

Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë,

24 por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin.

25 Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh.

26

Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin që ai ishte dishepull.

27 Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit.

28

Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit.

29 Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin.

30 Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars.

31

Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të Shenjtë.

32

Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te besimtarët e krishterë që jetonin në Lidë.

33 Atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili kishte tetë vjet që dergjej në shtrat, i paralizuar.

34 Atëherë Pjetri i tha: «Enea, Jezu Krishti po të shëron. Ngrihu e rregulloje shtratin!». Ai u ngrit menjëherë.

35

Të gjithë banorët e Lidës e të Sharonit e panë këtë e u kthyen te Zoti.

36

Në Jopë jetonte një grua besimtare me emrin Tabita, që e përkthyer do të thotë Gazelë Ajo bënte shumë vepra të mira e jepte shumë lëmoshë.

37 Ato ditë ajo u sëmur e vdiq. Pasi e lanë me ujë, e vendosën në dhomën e sipërme.

38 Lida ishte afër Jopës dhe dishepujt, kur dëgjuan se Pjetri ishte aty, dërguan tek ai dy burra me këtë lutje: «Eja te ne pa vonesë».

39 Atëherë Pjetri u ngrit e shkoi me ta.

Kur arriti, e çuan te dhoma e sipërme. Të gjitha vejushat iu afruan duke qarë e duke i treguar tunikat e rrobat e tjera që kishte bërë Gazela kur kishte qenë gjallë.

40

Pjetri i nxori të gjithë përjashta dhe ra në gjunjë e u lut. Pastaj iu drejtua së vdekurës e tha: «Tabita, ngrihu!». Atëherë ajo hapi sytë, pa Pjetrin dhe u ngrit ndenjur.

41 Pjetri i dha dorën dhe e ngriti në këmbë.

Pastaj thirri vëllezërit e krishterë dhe vejushat dhe ua tregoi Tabitën gjallë.

42 E gjithë Jopa e mori vesh këtë gjë e shumë veta besuan në Zotin.

43 Ndërkohë Pjetri qëndroi në Jopë për pak kohë me një farë Simoni, që ishte lëkurëpunues.

10

1

Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte centurion i asaj që quhej kohorta italike.

2 Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë.

3

Një pasdite, rreth orës tre , ai pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!».

4 Ai ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?».

Engjëlli i tha: «Lutjet dhe lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar.

5 Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër.

6 Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi, që e ka shtëpinë afër detit ».

7 Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë.

8 Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë.

9

Të nesërmen, rreth mesditës , ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për tʼu lutur.

10 Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim.

11 Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat.

12 Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve , të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit.

13 Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha».

14

Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë».

15

Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!».

16

Kjo gjë u përsërit tri herë e ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell.

17

Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit.

18 Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër.

19

Ndërkohë që Pjetri ende kishte në mendje vegimin, Shpirti i Shenjtë i tha: «Po të kërkojnë tre burra.

20 Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë».

21

Pjetri zbriti te këta njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?».

22

Ata i thanë: «Korneli, centurioni, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për tʼi thënë».

23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë e të rrinin në atë shtëpi.

Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve besimtarë nga Jopa shkuan me të.

24 Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë.

25

Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar.

26 Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam».

27

Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje.

28 Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë.

29 Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?».

30

Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh , pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme.

31 Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua.

32 Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin, që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit.”

33

Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti, e ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».

34

Atëherë Pjetri filloi tʼu fliste:

«Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt.

35 Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia.

36 Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave.

37

Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni

38 dhe tregon se si Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e Shenjtë e me fuqi, se si ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të.

39 Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem.

Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit,

40 por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që tʼi shfaqej

41 jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve.

42

Jezui na urdhëroi tʼi predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve.

43 Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij».

44

Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin.

45 Të krishterët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të Shenjtë iu dha edhe paganëve,

46 dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha:

47 «A mund tʼua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e Shenjtë sikurse edhe ne?».

48 Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.

11

1

Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe paganët e kishin pranuar fjalën e Perëndisë.

2 Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, të krishterët e rrethprerë e sulmuan me fjalë

3 dhe i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».

4

Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur:

5

«Isha në qytetin e Jopës dhe po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i Shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë.

6 Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësh të tokës, egërsira, rrëshqanorë dhe shpendë të qiellit.

7 Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha.”

8

Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, sepse nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra.”

9

Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”

10 Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell.

11

Pastaj menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezarea, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne.

12 Shpirti i Shenjtë më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër besimtarë dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu.

13 Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër.

14 Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen.”

15

Kur fillova të flisja, Shpirti i Shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim.

16 Atëherë mʼu kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e Shenjtë.”

17 Nëse Perëndia u dha paganëve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?».

18

Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe paganëve pendimin që udhëheq drejt jetës».

19

Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki , por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve dhe askujt tjetër.

20

Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës.

21 Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti.

22 Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki.

23

Kur ai arriti atje dhe pa hirin që Perëndia u kishte dhënë besimtarëve, u gëzua dhe i porositi të gjithë që tʼi qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër.

24 Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin.

25

Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin.

26 Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë.

27

Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi.

28 Njëri prej tyre që quhej Hagab tregoi me anë të Shpirtit të Shenjtë se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi .

29 Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit besimtarë që ishin në Jude.

30 Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën dhe Saulin.

12

1

Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave.

2 Jakobin , vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë.

3 Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të Pambrujtura.

4 Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit.

5

Kur Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të.

6

Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun.

7 Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë dhe i tha: «Ngrihu shpejt!».

Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart.

8 Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Mbështillu me mantel dhe më ndiq».

9 Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim.

10 Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë.

11

Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndërmend të bënin me mua».

12

Kur e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, që e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin.

13

Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën.

14 Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera.

15

Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij».

16 Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur.

17

Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit dhe vëllezërve». Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër.

18

Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty.

19 Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që tʼi vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.

20

Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij.

21 Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim.

22 Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu».

23 E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin , meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat.

24

Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë.

25 Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan detyrën për tʼu çuar ndihmën besimtarëve të Jerusalemit, u kthyen në Antioki dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark.

13

1

Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod tetrarkut dhe Sauli.

2 Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i Shenjtë tha: «Mʼi ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur».

3 Pastaj, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

4

Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i Shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro.

5 Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.

6

Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan një farë magjistari, një profet të rremë jude me emrin Barjezu.

7 Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë.

8 Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre dhe u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi.

9

Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, ia nguli sytë

10 dhe i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit?

11 Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për një farë kohe».

Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore.

12 Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.

13

Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë , ndërsa Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jerusalem.

14 Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë . Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën.

15

Pas leximit të ligjit të Moisiut e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që tʼu thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thojeni».

16

Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha:

«Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni:

17 Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm

18 dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë.

19 Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi

20 për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel.

21 Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Beniaminit, që mbretëroi për dyzet vjet.

22 Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do tʼi plotësojë tërë dëshirat e mia.”

23

Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin.

24 Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej.

25 Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as tʼia zgjidh sandalet.”

26

Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve.

27 Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë.

28

Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste.

29 Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr.

30 Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve

31 e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galileja në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit.

32

Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë,

33 Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet:

Ti je Biri im,
të kam lindur sot.

34

Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë:

Unë do tʼju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit.

35

Prandaj në një psalm tjetër ka thënë:

Nuk do të lejosh
që i shenjti yt të shohë kalbjen.

36

Davidi, në kohën e tij, i shërbeu planit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet dhe u kalb.

37 Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb.

38

Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut.

39 Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë.

40 Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët:

41

Shikoni o përbuzës,
mrekullohuni e zhdukuni
sepse unë
do të bëj një vepër të tillë
në ditët tuaja,
vepër që nuk do ta besonit kurrë,
edhe po tʼua thoshte dikush».

42

Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që tʼu flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër.

43 Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë.

44

Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit.

45 Po kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali.

46

Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim:

«Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë tʼju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do tʼu drejtohemi kombeve pagane.

47 Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu:

Të kam caktuar të jesh
dritë për kombet
që të çosh shpëtimin
deri në skajet e dheut».

48

Kur e dëgjuan këtë, paganët u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin.

49

Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë.

50 Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre.

51

Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon.

52

Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e Shenjtë.

14

1

Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh dhe paganësh besuan në Jezuin.

2 Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve besimtarë.

3

Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin mrekulli e shenja, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.

4

Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë e disa me apostujt.

5 Kur paganët dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, bënë plan që tʼi keqtrajtonin e tʼi vrisnin me gurë,

6 apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth.

7 Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.

8

Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë.

9 Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej,

10 i tha me zë të lartë: «Ngrihu në këmbë!». Atëherë ai u ngrit në këmbë e filloi të ecte.

11

Kur panë se çʼbëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në formë njeriu!».

12 Ata e quajtën Barnabën Zeus , ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.

13

Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin tʼu kushtonin flijime.

14 Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur:

15

«O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to.

16 Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre.

17 Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».

18

Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.

19

Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur.

20 Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.

21

Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki.

22 Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve dhe u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë».

23 Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.

24

Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili.

25 Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë dhe shkuan në Atali .

26 Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.

27

Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka që kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve pagane.

28 Pali dhe Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë.

15

1

Disa veta erdhën nga Judeja dhe i mësonin vëllezërit besimtarë kështu: «Nëse nuk rrethpriteni sipas zakoneve të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni».

2 Atëherë pati një zënkë të fortë mes tyre dhe Palit e Barnabës, sepse nuk ishin në një mendje. Kështu u caktua që Pali, Barnaba dhe disa prej atyre që kishin ardhur nga Judeja, të shkonin në Jerusalem e të flisnin për këtë çështje me apostujt e me pleqtë e kishës.

3 Kisha i përcolli dhe u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve pagane. Të gjithë vëllezërit besimtarë u gëzuan shumë.

4 Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt dhe pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre.

5 Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Paganët e kthyer në besim duhet të rrethpriten dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut».

6

Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje.

7 Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha:

«Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet pagane të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë.

8 Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e Shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve.

9 Ai i pastroi zemrat e paganëve me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre.

10

Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne?

11 Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata».

12

Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin, që tregonin për të gjitha mrekullitë e shenjat që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve pagane.

13

Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha:

«Vëllezër, më dëgjoni.

14 Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga paganët një popull që tʼi përkasë atij.

15

Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë:

16

Pas këtyre gjërave,
unë do të kthehem
e do ta ringre tendën e Davidit,
që është rrëzuar.
Do ta ringre nga rrënojat e saj
e do ta lartësoj sërish,

17
kështu që të gjithë njerëzit e tjerë
të mund ta kërkojnë Zotin
e po ashtu edhe të gjithë paganët
që janë bërë populli im.
Kështu thotë Zoti që i bën këto gjëra

18
të njohura që nga amshimi.

19

Prandaj mendoj se nuk duhet tʼu vëmë barrë paganëve që kthehen te Perëndia,

20 por duhet tʼu shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që i është flijuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut.

21

Urdhërimet e Moisiut njihen mirë, sepse që nga kohët e shkuara, janë lexuar çdo të shtunë nga ata që i kanë predikuar në sinagogat e çdo qyteti».

22

Atëherë apostujt dhe pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për tʼi dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit besimtarë.

23 Ata shkruan me dorën e tyre:

«Vëllezërit apostuj dhe pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve besimtarë që vijnë nga kombet pagane e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje!

24

Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin,

25 kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e tʼi dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin,

26 që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht.

27 Kemi dërguar Judën e Silën, që do tʼjua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra.

28

Shpirti i Shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet tʼju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme:

29 hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra.

Ju priftë e mbara!».

30

Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën.

31 Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi.

32 Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për tʼu dhënë zemër vëllezërve e për tʼi forcuar.

33

[33‏-34] Pasi kaluan disa kohë aty, vëllezërit i nisën në paqe tek ata që i kishin dërguar .

34

35 Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit.

36

Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: «Të kthehemi e të takojmë vëllezërit besimtarë në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohim si i kanë punët».

37 Barnaba donte që të merrnin edhe Gjonin që quhej Mark,

38 por Pali nguli këmbë që të mos e merrnin me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili e nuk i kishte shoqëruar në veprën e tyre.

39

Ata u grindën kaq shumë, saqë u ndanë nga njëri-tjetri dhe Barnaba mori Markun e lundroi për në Qipro.

40 Pali zgjodhi Silën dhe u nis pasi vëllezërit ia besuan Palin hirit të Zotit.

41 Ai shkoi nëpër Siri e Kiliki dhe i forconte kishat.

16

1

Pali arriti në Derbë e pastaj edhe në Listër. Atje jetonte një dishepull me emrin Timote. Nëna e tij ishte judease që kishte besuar në Jezuin, ndërsa i ati ishte grek.

2 Për të flisnin mirë vëllezërit besimtarë në Listër e në Ikon.

3 Pali deshi që Timoteu ta shoqëronte, prandaj e mori me vete dhe e rrethpreu për shkak të judenjve që jetonin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte grek.

4

Ndërsa shkonin nga qyteti në qytet, i njoftonin njerëzit për vendimet që ishin marrë nga apostujt e pleqtë e kishës në Jerusalem dhe i porosisnin që tʼi zbatonin.

5 Kështu kishat forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër çdo ditë.

6

Ata kaluan nëpër krahinën e Frigjisë e të Galatisë, sepse Shpirti i Shenjtë ua kishte ndaluar ta predikonin fjalën e Perëndisë në Azi .

7 Kur arritën afër Misisë , u munduan të shkonin në Bitini, por Shpirti i Jezuit nuk i lejoi,

8 prandaj kaluan nëpër Misi e shkuan në Troadë.

9

Gjatë natës Pali pa një vegim. Përpara i qëndronte një maqedonas, që i lutej e i thoshte: «Eja në Maqedoni e na ndihmo!».

10 Kur pa këtë vegim, menjëherë u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, të bindur se Perëndia na kishte thirrur tʼua shpallnim ungjillin atyre.

11

Pastaj lundruam nga Troada drejt Samotrakës dhe të nesërmen për në Neapojë

12 e që aty në Filipi, që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake.

Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë.

13 Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty.

14 Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali.

15 Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë.

16

Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve.

17 Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë më të lartë dhe ju shpallin udhën e shpëtimit».

18

Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.

19

Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit.

20 Kur i sollën para gjykatësve , thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj

21 dhe po predikojnë zakone që ne romakëve nuk na lejohet tʼi mbajmë e tʼi zbatojmë».

22

Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që tʼu shqyenin rrobat e tʼi rrihnin me shkopinj.

23 Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut tʼi ruante me kujdes.

24 Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.

25

Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin.

26 Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.

27

Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur.

28 Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu».

29

Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës.

30 Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, çʼduhet të bëj që të shpëtohem?».

31

Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate».

32

Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij.

33 Po në atë orë të natës roja i mori dhe u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij.

34 Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë, bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë.

35

Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për tʼi thënë: «Liroji ata njerëz».

36 Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë tʼju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe».

37

Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne që jemi qytetarë romakë , e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë».

38

Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë.

39 Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti.

40 Pasi dolën nga burgu, Pali dhe Sila shkuan në shtëpinë e Lidias. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.

17

1

Sila e Pali, pasi kaluan nëpër Amfipojë e Apoloni, arritën në Selanik , ku gjendej një sinagogë e judenjve.

2 Pali hyri brenda, sikurse e kishte zakon, dhe për tri të shtuna duke u bazuar në Shkrimet e shenjta,

3 u shpjegonte e u provonte se Krishti duhej të vuante e të ngjallej prej të vdekurve. Ai u tha: «Ky Krisht të cilin po jua shpall juve, është Jezui».

4 Disa prej tyre u bindën dhe shkuan pas Palit e Silës, sikurse edhe shumë grekë që ishin kthyer në besimin e judenjve dhe disa gra nga shtresat e larta.

5

Por judenjtë të nxitur nga smira, mblodhën disa njerëz të mbrapshtë nga ata që endeshin nëpër treg dhe pasi u bënë turmë, shkaktuan trazira në qytet. Ata sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe po kërkonin të gjenin Palin e Silën për tʼi nxjerrë para popullit.

6 Pasi nuk i gjetën, e tërhoqën zvarrë Jasonin bashkë me disa vëllezër besimtarë dhe i nxorën para krerëve të qytetit duke bërtitur: «Ata që kanë bërë rrëmujë gjithë botën kanë ardhur edhe këtu

7 e Jasoni i ka strehuar. Të gjithë këta veprojnë në kundërshtim me urdhrat e Cezarit e thonë se mbret na qenka tjetërkush, Jezui».

8

Kështu, me këto fjalë, i acaruan turmën dhe krerët e qytetit që po dëgjonin.

9 Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve para si dorëzani, i lanë të shkonin.

10

Atë natë vëllezërit besimtarë i nisën Palin e Silën në Berea . Kur arritën atje, shkuan në sinagogën e judenjve.

11 Këta judenj ishin më fisnikë se ata të Selanikut dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe. Çdo ditë shqyrtonin Shkrimin e Shenjtë për të parë nëse këto gjëra ishin kështu.

12 Prandaj shumë prej tyre besuan bashkë me disa gra greke fisnike si dhe shumë burra.

13

Po kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pali e kishte predikuar fjalën e Perëndisë edhe në Berea, erdhën deri aty që të nxisnin turmat e të bënin rrëmujë.

14

Atëherë vëllezërit besimtarë e nisën Palin në drejtim të detit, ndërsa Sila e Timoteu mbetën aty.

15 Ata që e shoqëruan Palin, e çuan deri në Athinë e pastaj u kthyen të porositur prej tij që Sila e Timoteu të shkonin tek ai sa më parë.

16

Ndërsa po i priste në Athinë, Pali u mërzit shumë kur pa se qyteti ishte plot me idhuj.

17 Ai diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me paganët e kthyer në besimin e judenjve, dhe çdo ditë fliste në sheshin e tregut me ata që ndodheshin aty.

18 Disa filozofë epikurianë e stoikë po diskutonin me të.

Disa thanë: «Çfarë po përpiqet të na thotë ky fjalaman?».

Disa të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja». Këtë e thanë sepse ai po predikonte ungjillin e Jezuit dhe ngjalljen.

19

Atëherë e morën, e çuan në Areopag dhe e pyetën: «A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri për të cilin po flet?

20 Na tingëllojnë si gjëra të çuditshme, prandaj dëshirojmë të dimë çʼkuptim kanë ato».

21

Në të vërtetë, të gjithë athinasit e të huajtë që jetonin aty, nuk e kalonin kohën ndryshe veçse duke treguar apo duke dëgjuar ndonjë të re.

22 Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha:

«Athinas, unë po shoh se ju jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka.

23 Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur.” Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall.

24 Perëndia që bëri botën dhe gjithçka që gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve.

25 Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë dhe gjithçka, nuk pret që tʼi shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë.

26 Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet, që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët dhe kufijtë e vendit ku duhet të banojnë.

27

Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë dhe të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh.

28

“Në të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj ,
se edhe ne jemi bijtë e tij.”

29

E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve.

30 Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen,

31 sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve».

32

Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër».

33 Atëherë Pali u largua prej tyre.

34 Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara si edhe disa të tjerë.

18

1

Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint .

2 Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont , që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për tʼi takuar

3 dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ai ndenji dhe punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave.

4

Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë dhe grekët.

5

Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisë , duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti.

6 Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre dhe u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorë . Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj tʼu predikoj kombeve pagane».

7

Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës.

8 Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Edhe shumë korintas që e dëgjuan Palin, besuan dhe u pagëzuan.

9

Një natë Zoti i tha Palit në vegim: «Mos ki frikë, por fol e mos hesht,

10 se unë jam me ty dhe askush nuk do të ngrejë dorë kundër teje për të të bërë keq. Shumë nga ata që jetojnë në këtë qytet më përkasin mua».

11 Pali ndenji aty një vit e gjashtë muaj dhe u mësonte atyre fjalën e Perëndisë.

12

Në kohën kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë , judenjtë u bashkuan kundër Palit, e çuan para gjykatësit

13 dhe thanë: «Ky njeri po kërkon tʼi bindë njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në kundërshim me ligjin e Moisiut».

14

Sapo Pali deshi të fliste, Galioni u tha judenjve: «Po të bëhej fjalë për ndonjë krim apo faj të rëndë, o judenj, do të kisha arsye për ta pranuar ankesën tuaj.

15 Por, meqë bëhet fjalë për diskutime lidhur me emra dhe me ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë. Unë nuk dua të bëhem gjykatës për këto gjëra».

16 Pastaj i largoi nga gjykata.

17 Atëherë të gjithë kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës, ndërsa Galioni nuk donte tʼia dinte fare për këto gjëra.

18

Pali, pasi ndenji për një farë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit besimtarë dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim.

19

Kur arritën në Efes , i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë dhe diskutoi me judenjtë.

20 Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi.

21 Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: « Në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije.

22

Kur arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki.

23 Ndenji aty për një farë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve.

24

Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë dhe i njihte mirë Shkrimet e shenjta.

25 Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt, predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.

26

Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, po kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë.

27

Meqë dëshironte të shkonte në Akai, besimtarët i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar,

28 sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë dhe u provonte hapur, përmes Shkrimeve të shenjta, se Jezui është Krishti.

19

1

Ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali kaloi nëpër krahinat malore dhe arriti në Efes. Atje gjeti disa dishepuj

2 dhe u tha: «Kur besuat, a e morët Shpirtin e Shenjtë?».

Ata iu përgjigjën: «As që kemi dëgjuar se ka Shpirt të Shenjtë».

3

Dhe Pali u tha: «Me çfarë jeni pagëzuar, atëherë?».

Ata i thanë: «Me pagëzimin e Gjonit».

4

Pali u tha: «Gjoni pagëzoi ata që pendoheshin dhe u bëri thirrje njerëzve të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë në Jezuin».

5 Kur dëgjuan këtë gjë, ata u pagëzuan në emrin e Zotit Jezu.

6 Atëherë Pali vendosi duart mbi ta dhe Shpirti i Shenjtë zbriti mbi ta e ata filluan të flasin në gjuhë të tjera e të profetizonin.

7 Ata ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra.

8

Pali shkonte në sinagogë dhe për tre muaj foli hapur e përpiqej tʼi bindte për mbretërinë e Perëndisë.

9 Disa njerëz kokëfortë nuk u bindën dhe filluan të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para popullit. Atëherë Pali u largua prej aty, mori me vete dishepujt dhe foli çdo ditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran.

10 Këtë gjë e bëri për dy vjet me radhë e kështu të gjithë banorët e Azisë, judenj e paganë, dëgjuan fjalën e Zotit.

11

Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit.

12 Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre.

13

Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!».

14

Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev,

15 por shpirti i keq u përgjigj: «Unë e njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?».

16 Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur.

17

Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë dhe paganët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu.

18 Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë.

19 Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi.

20 Kështu fjala e Zotit përhapej dhe forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij.

21

Si ndodhën këto gjëra, Pali vendosi që të shkonte në Jerusalem duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai. Ai tha: «Pasi të kem shkuar atje, duhet të shoh edhe Romën».

22 Kështu dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun dhe Erastin, ndërsa vetë ndenji pak më gjatë në Azi.

23

Në atë kohë ndodhi një rrëmujë e madhe për shkak të Udhës së Zotit Jezu.

24 Në Efes, jetonte edhe një burrë me emrin Dhimitër. Ai ishte argjendar dhe punonte tempuj të vegjël argjendi të Artemisës , gjë që u sillte shumë punë zejtarëve.

25 Ai i mblodhi zejtarët bashkë me punëtorët që kishin të njëjtën mjeshtëri e u tha:

«Burra, ju e dini mirë se mirëqenia jonë varet nga kjo mjeshtëri.

26 Tani, ju e shihni dhe e dëgjoni se ky Pali i ka bindur dhe ka bërë për vete një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por pothuaj në të gjithë Azinë, duke u thënë se perënditë e bëra me duart e njerëzve nuk janë perëndi.

27 Prandaj ka rrezik jo vetëm tʼi bjerë vlera punës sonë, por që edhe të mos çmohet më tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë dhe asaj tʼi humbë madhështia që e ka shtyrë tërë Azinë e botën ta adhurojnë.»

28

Kur e dëgjuan këtë gjë, zejtarët u zemëruan e bërtitën: «E madhe është Artemisa e efesianëve!».

29 Rrëmuja u përhap në gjithë qytetin. Turma u bashkua e shkoi me vrap te teatri, duke tërhequr zvarrë Gajin dhe Aristarkun që ishin maqedonas e që udhëtonin me Palin.

30

Pali donte të dilte para turmës, por dishepujt nuk e lanë.

31 Edhe disa krerë të krahinës së Azisë, që ishin miq të tij, dërguan njerëz tek ai për tʼi thënë që të mos shkonte te teatri për të dalë para turmës.

32

Atëherë u bë rrëmujë e madhe ndër të mbledhurit. Disa bërtisnin e thoshin një gjë e të tjerë një gjë tjetër, ndërsa shumica nuk e dinte pse ishin mbledhur.

33

Disa nga turma shtynë përpara njëfarë Aleksandri dhe judenjtë e nxitën të fliste. Aleksandri bëri shenjë me dorë për qetësi dhe u mundua të fliste para popullit në mbrojtje të judenjve,

34 po kur e kuptuan se ishte jude, të gjithë së bashku bërtitën njëzëri për rreth dy orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!».

35

Sekretari i qytetit, pasi e qetësoi turmën, tha:

«Burra të Efesit, a ka njeri këtu që nuk e di se qyteti i efesianëve është mbrojtësi i tempullit të Artemisës së madhe dhe i shtatores së rënë nga lart?

36 Kjo gjë nuk mund të mohohet, prandaj qetësohuni dhe mos bëni gjëra të nxituara.

37 Keni sjellë këtu këta njerëz, që as kanë vjedhur tempullin e as kanë fyer perëndeshën tuaj.

38

Nëse Dhimitri dhe zejtarët e tjerë, që janë me të, kanë ndonjë gjë kundër ndokujt, gjykatat janë të hapura dhe kanë prokonsuj. Atje le tʼi ngrenë paditë kundër njëri-tjetrit.

39 Nëse keni ndonjë çështje tjetër, ajo do të shqyrtohet sipas ligjit në mbledhjen e radhës.

40 [40-41] Ndërsa sot rrezikojmë të paditemi për kryengritje, meqë nuk kemi asnjë arsye që na jep të drejtë për këtë grumbullim».

Pasi tha këto, e shpërndau turmën .

20

1

Kur mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni.

2 Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër besimtarëve me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi.

3 Atje qëndroi tre muaj.

Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia.

4 Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga Azia .

5 Ata shkuan përpara dhe na pritën në Troadë,

6 ndërsa ne, pas ditëve të festës të Bukëve të Pambrujtura, lundruam nga Filipia e për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.

7

Të dielën ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalimin deri në mesnatë.

8 Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar.

9 Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur.

10

Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë dhe tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur».

11 Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis.

12 Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë.

13

Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë.

14 Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë.

15 Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet.

16 Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.

17

Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin.

18 Kur erdhën ata, Pali u tha:

«Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi,

19 duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve.

20 Ju e dini që nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar dhe ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju.

21 Unë u kam predikuar si judenjve, edhe paganëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu.

22 Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti i Shenjtë, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje.

23 Shpirti i Shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet.

24 Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë.

25

Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më.

26 Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet,

27 sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju.

28 Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i Shenjtë ju ka vënë mbikqyrës , që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet.

29

E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë, që nuk do ta kursejnë grigjën.

30 Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do tʼju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për tʼi tërhequr dishepujt pas vetes.

31 Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pa reshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet.

32

E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë tʼju rrisë në besim dhe tʼju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit.

33 Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba.

34 Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua.

35 Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë, e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep se ai që merr”».

36

Pasi tha këto fjalë, ai ra në gjunjë bashkë me të gjithë ata dhe u lut.

37 Të gjithë shpërthyen në lot. Ata e përqafuan Palin dhe e puthën,

38 duke ndier dhimbje, sidomos për atë që kishte thënë se nuk do ta shihnin më.

Pastaj e përcollën deri tek anija.

21

1

Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë .

2 Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm.

3

Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir , sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty.

4 Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem.

5 Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm

6 dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi.

7

Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit besimtarë dhe ndenjëm një ditë me ta.

8 Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare . Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai.

9 Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.

10

Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab.

11 Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i Shenjtë: Kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez dhe do tʼua dorëzojnë paganëve».

12 Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem.

13

Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu».

14

Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!».

15

Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem.

16 Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.

17

Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit besimtarë na pritën me gëzim.

18 Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës.

19 Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes paganëve, me anë të shërbesës së tij.

20 Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit:

«Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin e Moisiut.

21 Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes paganëve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat.

22

Si tʼia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur.

23 Bëj, pra, këtë që të themi: Këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim.

24 Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin e Moisiut.

25

Ndërsa për paganët që kanë besuar kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».

26

Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin.

27

Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën.

28 Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit të Moisiut dhe kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë paganë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë».

29 Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull.

30

Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert.

31 Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, komandantit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin.

32 Ai mori menjëherë disa ushtarë e centurionë dhe shkoi me nxitim drejt turmës.

Kur pa turma komandantin e kohortës dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.

33 Atëherë u afrua komandanti, e kapi Palin dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë.

34 Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë .

35 Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin.

36 Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!».

37

Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha komandantit të kohortës: «A më lejohet të të them diçka?».

Komandanti i tha: «Di greqisht?

38 Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katërmijë vrasësve?».

39

Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo tʼi flas popullit».

40

Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha:

22

1

«Vëllezër dhe etër, dëgjoni mbrojtjen time».

2 Kur dëgjuan se po u fliste hebraisht, u bë qetësi edhe më e madhe. Atëherë ai tha:

3

«Unë jam jude. Kam lindur në Tars të Kilikisë dhe jam rritur këtu në Jerusalem. Kam pasur si mësues Gamalielin dhe jam edukuar pikë për pikë sipas ligjit të etërve tanë, me zell për Perëndinë, sikurse jeni të gjithë ju sot.

4

Unë i kam përndjekur deri për vdekje ata që i përkasin Udhës së Zotit Jezu. Kam lidhur burra e gra dhe i kam futur në burg.

5 Për mua mund të dëshmojnë kryeprifti dhe tërë pleqësia. Ata më dhanë edhe letra për vëllezërit judenj në Damask, që më ngarkonin për tʼi lidhur ata që ishin atje e për tʼi sjellë në Jerusalem që të ndëshkoheshin.»

6

«Kur isha rrugës për në Damask, teksa po i afrohesha qytetit, rreth mesditës, shndriti nga qielli një dritë e fortë rreth meje.

7 Unë rashë përtokë dhe dëgjova një zë që më tha: “Saul, Saul, përse më përndjek?”.

8

Unë u përgjigja: “Kush je ti, o Zot?”.

Ai më tha: “Unë jam Jezui i Nazaretit, që ti po e përndjek.”

9 Ata që ishin me mua e panë dritën , por nuk e dëgjuan zërin e atij që po më fliste.

10

Unë pyeta: “Zot, çfarë duhet të bëj?”.

Zoti më tha: “Ngrihu e shko në Damask. Atje do të të thonë gjithçka që të është caktuar të bësh.”

11 Meqë nuk mund të shihja për shkak të shkëlqimit të asaj drite, ata që ishin me mua më morën për dore e më çuan në Damask.

12

Një burrë me emrin Hanani, njeri i përkushtuar ndaj ligjit të Moisiut e për të cilin judenjtë që jetonin aty flisnin mirë,

13 erdhi tek unë, qëndroi përbri meje e tha: “Vëlla Saul, shih përsëri.”

Në atë çast mʼu hapën sytë dhe e pashë.

14 Atëherë ai tha: “Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur që të njohësh vullnetin e tij, që të shohësh të Drejtin e të dëgjosh zërin e tij.

15 Ti do të jesh dëshmitar i tij para të gjithë njerëzve, dëshmitar i asaj që ke parë e ke dëgjuar.

16 Dhe tani çʼpret? Ngrihu, pagëzohu e pastrohu nga mëkatet duke thirrur emrin e Zotit”».

17

«Pasi u ktheva në Jerusalem, ndërsa po lutesha në tempull, pata një vegim

18 dhe pashë Jezuin që më tha: “Nxito e largohu shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua.”

19

Dhe unë thashë: “Zot, ata e dinë se në çdo sinagogë unë kam futur në burg dhe kam rrahur ata që besuan në ty.

20 Edhe kur u derdh gjaku i dëshmorit tënd Stefanit, unë isha aty, e miratova vrasjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që po e vrisnin.”

21

Atëherë Zoti më tha: “Shko, se do të të dërgoj larg, te kombet pagane”».

22

Deri këtu turma e dëgjoi, por pastaj bërtitën me zë të lartë: «Zhdukeni nga dheu këtë njeri. Ai nuk e meriton të jetojë».

23 Turma bërtiste, hidhte rrobat lart e ngrinte pluhur në ajër.

24

Atëherë komandanti i kohortës urdhëroi ta çonin Palin në fortesë dhe u tha ta marrin në pyetje duke e fshikulluar, që të gjenin arsyen pse judenjtë bërtisnin kështu kundër tij.

25

Por, pasi e lidhën me rrobat e tij, Pali i tha centurionit që rrinte pranë: «A ju lejohet të fshikulloni një qytetar romak pa i bërë gjyqin?».

26

Kur e dëgjoi këtë, centurioni shkoi te komandanti i kohortës dhe i tha: «Kujdes se çfarë po bën! Ky njeri është qytetar romak».

27

Komandanti erdhi dhe e pyeti Palin: «Më thuaj, a je romak?».

Pali i tha: «Po».

28

Komandanti u përgjigj: «Mua më ka kushtuar shumë para që ta merrja qytetarinë romake».

Pali i tha: «Ndërsa unë kam lindur i tillë».

29

Ata që do ta merrnin në pyetje u larguan menjëherë prej tij. Edhe komandantit të kohortës i hyri frika kur mori vesh se Pali ishte qytetar romak, sepse e kishte lidhur.

30

Ai donte të dinte me saktësi arsyen se përse po e padisnin judenjtë Palin, prandaj të nesërmen e liroi dhe urdhëroi kryepriftërinjtë e mbarë sinedrin që të mblidheshin. Pastaj solli edhe Palin dhe e nxori para tyre.

23

1

Pali vështroi nga sinedri dhe tha: «Vëllezër, deri më sot kam jetuar me ndërgjegje të pastër para Perëndisë».

2

Atëherë kryeprifti Hanani i urdhëroi ata që ishin pranë Palit që ta godisnin Palin në gojë.

3 Por Pali i tha: «Ty do të godasë Perëndia, o mur i zbardhur! Je ulur për të më gjykuar sipas ligjit të Moisiut dhe, duke shkelur këtë ligj, urdhëron që të më godasin».

4

Ata që ishin aty thanë: «Ti po shan kryepriftin e Perëndisë?».

5

Por Pali u përgjigj: «Vëllezër, nuk e dija se ishte kryeprift, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Mos fol keq për krerët e popullit tënd!».

6

Meqenëse Pali e dinte se disa ishin saducenj e të tjerët farisenj, tha me zë të lartë në sinedër: «Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve».

7

Sapo e tha këtë, farisenjtë dhe saducenjtë filluan të grinden mes tyre dhe sinedri u përça.

8 Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto.

9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa skribë nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur tʼi ketë folur një shpirt apo një engjëll ?».

10

Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, komandanti i kohortës pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët që të shkonin e tʼua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë.

11

Një natë më pas Zoti iu shfaq Palit dhe i tha: «Ki guxim! Sikurse ke dëshmuar për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë».

12

Në mëngjes judenjtë përgatitën një kurth dhe u betuan se nuk do të hanin e nuk do të pinin derisa ta vrisnin Palin.

13 Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta.

14 Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë dhe u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin.

15 Prandaj tani ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu».

16

Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin.

17 Pali thirri njërin nga centurionët dhe i tha: «Dërgoje këtë djalosh te komandanti i kohortës, sepse ka diçka për tʼi thënë».

18

Ai e mori, e çoi te komandanti dhe i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri dhe më kërkoi që ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë».

19

Komandanti e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?».

20

Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje që të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht.

21 Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd».

22

Atëherë komandanti i kohortës e nisi djaloshin dhe i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».

23

Atëherë ai thirri dy nga centurionët dhe u tha: «Përgatituni për tʼu nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë.

24 Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks !».

25

Pastaj shkroi këtë letër:

26

«Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks, përshëndetje!

27

Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve.

28

Unë doja të dija shkakun për të cilin e kishin paditur dhe prandaj e çova para sinedrit të tyre.

29 Aty mora vesh se e kishin paditur për disa çështje lidhur me ligjin e tyre, por nuk kishte bërë asgjë që të meritonte vdekjen ose prangat.

30

Kur më njoftuan se judenjtë i kishin ngritur një kurth, e dërgova menjëherë te ti dhe i urdhërova paditësit e tij që të flasin me ty për të ».

31

Atëherë ushtarët e morën Palin dhe, sipas urdhrit, e çuan gjatë natës në Antipatridë.

32 Të nesërmen i lanë kalorësit që të shkonin me të, ndërsa ata vetë u kthyen në fortesë.

33 Kalorësit arritën në Cezare, i dhanë letrën qeveritarit dhe i dorëzuan Palin.

34

Qeveritari e lexoi letrën, e pyeti Palin se cilës provincë i përkiste dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,

35 i tha: «Do të të dëgjoj kur të vijnë ata që të kanë paditur». Pastaj urdhëroi ta mbanin në mbikqyrje në pretoriumin e Herodit.

24

1

Pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Hanani bashkë me disa pleq dhe me një gojëtar që quhej Tertul. Ata i shpjeguan qeveritarit çfarë kishin kundër Palit.

2 Kur thirrën Palin, Tertuli filloi të parashtronte padinë kundër tij dhe tha:

«I nderuar shkëlqesi Feliks, falë teje kemi gëzuar paqe për shumë kohë e falë përkujdesjes sate janë bërë ndryshime të mëdha për këtë popull.

3 Ne ndiejmë mirënjohje të thellë për këtë gjë, gjithmonë e kudo.

4 Por, pa dashur të të mërzis më shumë, të lutem që të kesh mirësinë të na dëgjosh shkurtimisht.

5

Ne kemi parë se ky njeri nxit trazira dhe i shtyn të gjithë judenjtë nëpër botë për kryengritje. Ai është kryetari i sektit të nazaretasve.

6 Madje, ai u mundua të përdhoste edhe tempullin, por ne e kapëm .

7 [7‏-8] Ti do ta gjykosh vetë dhe do të mund të mësosh prej tij gjithçka për të cilën po e padisim».

8

9

Me këtë padi u bashkuan edhe judenjtë e tjerë dhe thanë se gjërat qëndronin ashtu.

10

Kur qeveritari i bëri me shenjë të fliste, Pali u përgjigj:

«Meqenëse e di se ke vite që je gjykatës i këtij populli, kam besim te ti për të bërë mbrojtjen time.

11

Ti mund ta vërtetosh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që kam shkuar në Jerusalem për të adhuruar në tempull.

12 Këta nuk më kanë gjetur duke biseduar me ndokënd në tempull apo duke nxitur ndonjë turmë as nëpër sinagoga, as në qytet.

13 Ata nuk mund ta vërtetojnë padinë ndaj meje.

14

Por po të dëshmoj se sipas Udhës së Zotit Jezu, të cilën ata e quajnë sekt, unë adhuroj Perëndinë e etërve tanë, duke besuar gjithçka që është shkruar në ligjin e Moisiut dhe në librat e profetëve.

15 Unë kam shpresë në Perëndinë, atë shpresë që edhe ata vetë e pranojnë, se të drejtët dhe të padrejtët do të ngjallen.

16 Prandaj përpiqem ta kem ndërgjegjen të panjollosur para Perëndisë e para të gjithë njerëzve.

17

Tani, pas shumë vitesh, u ktheva në Jerusalem për tʼi sjellë ndihma popullit tim e për tʼi kushtuar flijime Perëndisë.

18 Kur po kryeja ritin e pastrimit, judenjtë më gjetën në tempull dhe aty nuk kishte as turma e as trazirë.

19

Aty gjendeshin disa judenj nga Azia dhe duhej të vinin ata te ti për të ngritur padi po të kishin ndonjë gjë kundër meje.

20 Megjithatë, le ta thonë këta vetë çfarë faji kanë gjetur tek unë kur dola për tʼu gjykuar para sinedrit,

21 me përjashtim ndoshta të atyre fjalëve që thashë me zë të lartë para tyre: “Unë po gjykohem sot nga ju, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve”».

22

Por Feliksi, që e njihte mirë Udhën e Zotit Jezu, u tha: «Do të vendos për çështjen tuaj kur të vijë Lisia, komandanti i kohortës», dhe kështu e shtyu gjyqin.

23 Pastaj e urdhëroi centurionin që ta ruante Palin, por tʼi lejonte edhe një farë lirie e të mos pengonte asnjë nga miqtë e tij që të kujdesej për nevojat që kishte .

24

Pas disa ditësh, kur erdhi Feliksi me gruan e vet Drusilën , që ishte judease, thirri Palin dhe dëgjoi prej tij për besimin në Krishtin Jezu.

25 Kur Pali foli për drejtësinë, vetëpërmbajtjen dhe gjykimin e ardhshëm, Feliksi u tremb e i tha: «Tani për tani mund të shkosh. Do të të thërras kur të kem kohë».

26 Ndërkohë shpresonte se Pali do tʼi jepte para , prandaj e thërriste shpesh e fliste me të.

27

Si kaluan dy vjet, pas Feliksit erdhi Porc Festi dhe Feliksi, meqë donte tʼu bënte një nder judenjve, e la Palin në burg.

25

1

Tri ditë pasi kishte arritur në provincë, Festi shkoi nga Cezarea në Jerusalem.

2 Aty kryepriftërinjtë dhe krerët e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit. Ata iu lutën

3 dhe i kërkuan si nder që ta dërgonte Palin në Jerusalem. Ndërkohë kishin përgatitur një pritë për ta vrarë rrugës.

4 Festi u përgjigj se Pali ruhej në Cezare dhe se ai vetë do të shkonte së shpejti atje.

5 Ai u tha: «Atëherë, krerët tuaj le të vijnë me mua dhe, nëse ai njeri ka bërë ndonjë faj, le të ngrenë padi kundër tij».

6

Pasi ndenji mes tyre jo më shumë se tetë apo dhjetë ditë, Festi shkoi në Cezare. Të nesërmen u ul në fronin e gjykatësit dhe urdhëroi të sillnin Palin.

7 Kur arriti Pali, atë e rrethuan judenjtë që kishin ardhur nga Jerusalemi dhe bënë shumë padi të rënda kundër tij, por që nuk mund tʼi vërtetonin.

8 Pali u mbrojt kështu: «Unë nuk kam bërë mëkat as kundër ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit».

9

Por Festi, meqë donte tʼu bënte nder judenjve, e pyeti Palin: «A dëshiron të shkosh në Jerusalem dhe të gjykohesh atje para meje për këto padi?».

10 Pali i tha: «Unë jam para gjykatës së Cezarit dhe këtu duhet të gjykohem. Judenjve nuk u kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti e di shumë mirë këtë.

11 Nëse jam në faj dhe nëse kam bërë diçka që meriton vdekjen, jam gati të vdes. Por, nëse nuk qëndron asnjë nga gjërat për të cilat më kanë paditur, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata. Unë kërkoj që të gjykohem prej Cezarit».

12

Atëherë Festi, pasi foli me këshillin e vet, iu përgjigj: «Kërkove të gjykohesh prej Cezarit, te Cezari do të shkosh».

13

Pasi kaluan disa ditë, mbreti Agripa e Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14 Meqë ata po rrinin aty disa ditë, Festi i paraqiti mbretit rastin e Palit dhe i tha:

«Këtu është një njeri që e ka lënë Feliksi në burg.

15 Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve më paraqitën paditë kundër tij dhe më kërkuan ta dënoj.

16 Unë u thashë se nuk është zakon i romakëve që ta dënojnë dikë, nëse i padituri nuk takohet me paditësit ballë për ballë dhe nëse nuk i jepet mundësia të mbrohet kundër padisë.

17

Ata që kishin ngritur padinë erdhën këtu bashkë me mua dhe unë, pa humbur kohë, u ula të nesërmen në fronin e gjykatësit dhe urdhërova që të ma sillnin atë njeri.

18 Paditësit dolën para meje, por nuk ngritën kundër tij asnjë padi nga ato që prisja unë.

19 Të dyja palët kundërshtonin njëra-tjetrën në lidhje me disa çështje të fesë së tyre dhe me një farë Jezui që ka vdekur, por që Pali thotë se është gjallë.

20

Meqë nuk dija si ta hetoja këtë çështje, e pyeta nëse dëshironte të shkonte në Jerusalem e të gjykohej atje për këto gjëra,

21 por Pali kërkoi që të mbahej i burgosur, derisa çështja tʼi kalonte për gjykim Lartmadhërisë së tij. Prandaj urdhërova që ta ruanin derisa të mund ta dërgoj te Cezari».

22

Agripa i tha Festit: «Dëshiroj ta dëgjoj edhe unë vetë këtë njeri».

Festi i tha: «Nesër do ta dëgjosh».

23

Të nesërmen Agripa dhe Bernika erdhën me shumë madhështi. Ata hynë në sallë me komandantët e kohortave dhe me burrat e rëndësishëm të qytetit. Atëherë Festi dha urdhër që të sillnin Palin.

24 Festi tha:

«O mbret Agripë dhe të gjithë ju që jeni këtu me ne, ky është njeriu për të cilin mbarë populli i Judesë më është drejtuar mua, edhe në Jerusalem, edhe këtu, me kërkesën që ky të mos jetojë më.

25 Por unë nuk gjeta tek ai asnjë faj që të meritojë vdekjen dhe meqenëse ai kërkoi të gjykohej para Lartmadhërisë së tij, vendosa që ta dërgoj atje.

26

Nuk kam asgjë të saktë që tʼi shkruaj tim zoti për të. Për këtë arsye e solla para të gjithëve ju, veçanërisht para teje, o mbret Agripë, që, pasi ta kemi marrë në pyetje, të kem çʼti shkruaj.

27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur pa shënuar edhe paditë që ngrihen kundër tij».

26

1

Agripa i tha Palit: «Ke leje të flasësh për veten».

Atëherë Pali ngriti dorën dhe u mbrojt kështu:

2

«E quaj veten të lumtur që po mbrohem sot para teje, o mbret Agripë, për të gjitha paditë që judenjtë kanë ngritur kundër meje,

3 sepse ti i njeh mirë të gjitha zakonet dhe mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim.

4

Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem.

5 Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise.

6 Ndërsa tani qëndroj këtu për tʼu gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë,

7 të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë.

8 Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit?

9

Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit

10 dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me autoritetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga besimtarët e krishterë dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje.

11 Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës tʼi detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja.»

12

«Kështu, u nisa për në Damask me autoritetin dhe lejen e kryepriftërinjve.

13 Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua.

14 Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit.”

15

Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”.

Zoti mʼu përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek,

16 por ngrihu e qëndro në këmbë. Tʼu shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj.

17

Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet pagane, te të cilat po të dërgoj

18 që tʼu hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve dhe do të jenë mes atyre që i përkasin Perëndisë .”»

19

«Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor,

20 por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet pagane, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar.

21

Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin.

22 Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për tʼi dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin:

23 se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do tʼu bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve pagane».

24

Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt».

25

Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta dhe të arsyeshme.

26 Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi.

27

O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson».

28

Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë».

29

Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe që të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!».

30

Atëherë mbreti, qeveritari, Bernika dhe të gjithë ata që ishin ulur me ta u ngritën

31 dhe kur po dilnin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri nuk ka bërë asgjë, që të meritojë vdekjen apo burgimin».

32

Agripa i tha Festit: «Po të mos kishte kërkuar të gjykohej prej Cezarit, ky njeri mund të ishte lënë i lirë».

27

1

Kur u vendos të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të burgosur të tjerë i çuan te një njeri me emrin Jul, centurion i kohortës perandorake.

2 Ne hipëm në një anije nga Adramiti , që do të kalonte nga portet përgjatë brigjeve të Azisë dhe u nisëm. Me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku.

3

Të nesërmen mbërritëm në Sidon. Juli u soll me dashamirësi me Palin dhe e lejoi të shkonte te miqtë e vet, që ata të kujdeseshin për të.

4 Prej aty u nisëm e lundruam përgjatë Qipros, se e kishim erën kundër.

5 Pasi kaluam detin gjatë brigjeve të Kilikisë dhe të Pamfilisë, arritëm në Mirë të Likisë.

6 Aty centurioni gjeti një anije nga Aleksandria, që shkonte për në Itali dhe na hipi në atë anije.

7

Për disa ditë lundruam ngadalë dhe me vështirësi arritëm përballë Knidit. Meqë kishim erën kundër, lundruam poshtë Kretës, përbri Salmonit.

8 Lundruam me shumë vështirësi përgjatë bregut dhe arritëm në një vend që quhej ‘Portet e Mira’, pranë qytetit të Laseas.

9

Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës . Atëherë Pali i këshilloi

10 e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona».

11 Por centurioni dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk ua vuri veshin fjalëve të Palit.

12

Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi.

13

Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do tʼia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat dhe lundruan afër brigjeve të Kretës.

14 Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon.

15 Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim çʼtë bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej.

16

Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda , me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit.

17 Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta merrte era.

18

Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën,

19 ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes.

20 Për shumë ditë nuk pamë as diell, e as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi.

21

Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha:

«Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm.

22 Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet.

23

Mbrëmë mʼu shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj

24 e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet do të dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty.”

25 Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli.

26 Ne do të përfundojmë në një ishull».

27

Ishte nata e katërmbëdhjetë dhe, ndërsa po lundronim në Detin Mesdhe , rreth mesnatës detarët menduan se po i afroheshin tokës.

28 Atëherë lëshuan matësin e thellësisë dhe panë se thellësia ishte rreth tridhjetë e shtatë metra . Pak më vonë e matën përsëri thellësinë dhe ajo ishte njëzet e tetë metra.

29 Nga frika se mos përplaseshim me ndonjë shkëmb, hodhën katër spiranca nga kiçi dhe uronin që të zbardhte sa më shpejt.

30

Detarët donin ta braktisnin anijen dhe kishin ulur varkën e shpëtimit në det, gjoja për të vënë spirancat në bash.

31 Pali i tha centurionit dhe ushtarëve: «Nëse këta njerëz nuk qëndrojnë në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni».

32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e varkës së shpëtimit dhe e lanë të binte në det.

33

Ndërsa prisnin që të zbardhte, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka dhe u tha: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të uritur e pa ngrënë asgjë.

34 Prandaj po ju këshilloj të hani diçka nëse doni të jetoni. Askush nga ju nuk do të humbë as edhe një fije floku».

35

Pasi tha këto, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe filloi të hante.

36 Atëherë të gjithë morën zemër dhe hëngrën.

37 Të gjithë bashkë bëheshim dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38 Pasi u ngopën, e hodhën drithin në det dhe e lehtësuan anijen.

39

Kur zbardhi, panë tokë, por nuk e dinin ku ishin. Atëherë vunë re një gji me një breg ranor dhe aty donin ta nxirrnin anijen, po të mundnin.

40 Kështu shkëputën spirancat nga anija dhe i lanë të binin në det. Në të njëjtën kohë liruan litarët e timonëve. Pastaj ngritën velin ballor që ta kapte era dhe u drejtuan drejt bregut.

41 Por hasën në një cekëtinë dhe anija ngeci në rërë. Bashi u ngul në rërë, ndërsa kiçi po copëtohej nga forca e dallgëve.

42

Ushtarët menduan tʼi vrisnin të burgosurit, që asnjeri nga ata të mos ikte me not,

43 por centurioni, që donte të shpëtonte Palin, i ndaloi ta bënin këtë. Ata që mund të notonin, i urdhëroi të hidheshin nga anija e të shkonin drejt tokës,

44 ndërsa të tjerët të kapeshin pas ndonjë dërrase apo ndonjë cope të mbetur nga anija. Kështu të gjithë arritën shëndoshë e mirë në breg.

28

1

Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë.

2 Vendasit treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë.

3

Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë, që doli për shkak të të nxehtit.

4 Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë».

5

Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe.

6 Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.

7

Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë.

8 I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e dizenteri. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi.

9

Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan.

10 Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej.

11

Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve .

12 U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë.

13 Pastaj lundruam përgjatë bregut dhe mbërritëm në Regjio. Pas një dite filloi të frynte juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuol.

14 Aty gjetëm disa vëllezër besimtarë vendas, të cilët na u lutën të rrinim me ta shtatë ditë. Pastaj shkuam në Romë.

15

Vëllezërit besimtarë që ishin atje, kur dëgjuan për ne, erdhën që nga Forumi i Apit e nga Tri Tavernat për të na takuar. Kur i pa, Pali falënderoi Perëndinë e mori zemër.

16

Pasi mbërritën në Romë , Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur.

17

Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha:

«Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve.

18 Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje.

19 Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj që të gjykohem prej Cezarit.

Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim.

20 Prandaj edhe kam kërkuar tʼju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli».

21

Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty.

22 Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti».

23

Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej tʼi bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve.

24

Disa u bindën prej gjërave që tha, ndërsa të tjerët nuk besuan.

25 Kështu ata nuk ranë në një mendje me njëri-tjetrin dhe kur po largoheshin, Pali u tha: «Mirë u foli Shpirti i Shenjtë, etërve tuaj me anë të profetit Isaia

26 kur tha:

Shko te ky popull e thuaji:
kanë veshë për të dëgjuar,
por nuk kuptojnë,
kanë sy për të parë,
por nuk shikojnë.

27
Zemra e këtij populli
është bërë e pandjeshme
dhe u janë rënduar veshët.
I kanë mbyllur sytë
që të mos shohin me sy,
të mos dëgjojnë me veshë,
të mos kuptojnë me zemër,
që të mos kthehen tek unë
për tʼi shëruar.

28

[28‏-29] Dijeni, pra, se Perëndia ua dërgoi këtë shpëtim kombeve pagane. Ato do të dëgjojnë ».

29

30

Pali qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira, ku edhe priste të gjithë ata që shkonin tek ai.

31 Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe i mësonte të vërtetën e Zotit Jezu Krisht gjithë guxim e pa ngurruar.